E Marte, 07 Shtator 2010

Na plasen ujrat

Sot te gjithe duhet te bejne te tyren ne ndihme te zones se rrezikuar. Dhe pastaj secili te kryeje misionin e vet. Eedhe qeveria, edhe opozita, edhe mediat. Edhe prokuroria, qe prej muajsh duket se eshte nen uje

Nga Alqi Kociko

Ajo qe sot, sa me teper qe kalojne oret po perkufizohet si katastrofe, ne fakt duhej te ishte nje bekim nga natyra apo Zoti. Kush nuk e mban mend, mund te kerkoje ne arkivat mediatike per krizat energjetike te vetem pak viteve me pare e deri ne fillim te viteve 90-te, kur bashkarisht qeveri e popull luteshin per pak me teper shi e shpresonin qe dimri i ardhshem te vinte me rreshje. Atehere kur fokusi i gazetareve dhe publikut ishte tek centimetrat qe uleshin apo ngriheshin me pikatore ne liqenin e Fierzes dhe tek buletini meteorologjik, ndersa meraku i qeverise ishte ne gjetjen e justifikimit te rradhes, te tipit “ky ka qene dimri me i thate i dymije viteve te fundit”.

E pra, sot pellgu ujembledhes i Drinit eshte plot, probleme te furnizimit me energji nuk kemi pasur e megjithate tema e dites eshte serish e njejta. Kuptohet, disa parametra kane ndryshuar: Tani flasim per nivele kritike maksimale ne liqenet e hidrocentraleve te veriut, dhe jo per ato minimale; flasim per metra dhe jo per centimetra, per mijra metra kub uje prurje dhe jo per shterrim te rrekeve qe furnizojne liqenet. E vetmja qe vijon njesoj si perhere, te gjeje strehe tek forcat madhore universale si ngrohja globale dhe baticat eshte kryeministri Berisha.

Me hir a me pahir, per shkak te ketij bombardimi te vazhdueshem informativ, nuk ka shqiptar qe te mos jete bere pak ekspert ne ceshtjet e hidrocentraleve tona. Aq me teper banoret e prekur direkt nga permbytjet qe solli hapja e detyruar e portave te digave ne fshatrat e Lezhes dhe Shkodres. Ne prononcimet e tyre, ata pohojne se vetem me pak menaxhim shumecka mund te ishte shmangur. Futja ne regjim prodhimi maksimal nga te gjitha hidrocentralet dhe nese ishte e nevojshme, hapja e portave te Fierzes dhe shkalle-shkalle te digave me poshte, duhej te ishte bere dy-tre jave me pare, kur u vu re se niveli i ujit po i afrohej maksimales. Te gjithe, eksperte te vjeter dhe amatore te rinj hidrocentralesh, bien dakord se deshira e qeverise per te pritur edhe pak me shume uje, ne menyre qe ta shfrytezonte pastaj deri ne fund prodhimin masiv te energjise (i vetmi mall eksporti qe na zbardh faqen kur e kemi me shumice), solli kete situate.

Pa hyre ne akuzat politike per shfrytezim tenderash e furnizim klientesh qeveritare, pra per makuteri ilegale dhe zhvatje te interesave publike ne favor te xhepave private si ne rastin e Gerdecit, mund te flitet megjithate per lakmi legale. E kesisoj per amatorizem ne menaxhimin e pasurise me te madhe kombetare dhe te vetmit burim strategjik qe ka vendi, kaskaden e Drinit. Parate e fituara nga shitja e energjise, shume te cilen ende nuk e dime, afermendsh mbulohen e tejkalohen nga demet e shkaktuara ne bujqesi dhe shtepi prej permbytjeve. E nese largqofte, kjo kosto rritet akoma me shume, atehere del edhe me ne pah driteshkurtesia e vendimeve lakmitare, pavaresisht se ne xhepat e kujt shkojne fitimet.

Nga ana tjeter, kjo situate emergjente ka nxjerre ne rend te pare ceshtje te anashkaluara prej kohesh nga qeverite, packa se te trajtuara here pas here nga mediat: rrjetet kulluese te tokave, argjinaturat e lumenjve dhe bregdeteve dhe mirembajtja e hidrocentraleve tona 30-40 vjecare. Gjithmone natyra eshte rikthyer te kerkoje ate qe njeriu ja ka marre, dhe neglizhenca 20 vjecare e mirembajtjes plus anarkine totale ndertuese, heret a vone do ta sillte kete gjendje qe na kercenon sot. Gjendje per te cilen keto dy dekada, kryeministri aktual ka dhene nje kontribut kryesor me politikat e tij qeverisese. Frika eshte se me kapercimin e fazes emergjente, gjithcka do te harrohet e do te vazhdoje si me pare, aq me teper qe precedentet per kete jane te pambarimte.

Megjithate, mesimet nxirren ne nje faze te dyte. Sot si qeveria e opozita, ashtu dhe popullata e prekur jane perballe nje fakti konkret: Veriperendimi i vendit eshte nen uje dhe kryesorja eshte perpjekja maksimale per sa me pak kosto tani e tutje. Me apo pa akuzat e opozites, te gjithe duhet te bejne te tyren ne ndihme te zones se rrezikuar. Dhe pastaj te kryejne misionin e tyre edhe qeveria, edhe opozita, edhe mediat. Edhe prokuroria, qe prej muajsh duket se eshte nen uje.